Skip to content

Nëse VV nuk i ka votat, LDK është e gatshme

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.

Përmes një reagimi publik, Gashi tha se, sipas deklarimeve të Vetëvendosjes, kjo parti i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, por po vonon qëllimisht procesin.

“Albin Kurti thotë se i ka 62 vota për konstituimin e Kuvendit. Po ashtu thotë se i ka 62 vota edhe për formimin e Qeverisë. Atëherë pyetja është e pashmangshme: Nëse i ke votat, pse nuk e konstituon Kuvendin?”, ka shkruar Gashi.

Ai shtoi se, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e pretenduara, atëherë LDK-ja është e gatshme t’i japë ato për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që të tejkalohet bllokada institucionale.

Sipas Gashit, problemi nuk qëndron te mungesa e votave, por te vendimi politik i Vetëvendosjes për të zvarritur procesin.

“Problemi është zgjedhja politike. Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur, përballë një çështjeje të trajtuar nga Gjykata Kushtetuese së paku pesë herë, dëgjojmë përsëri: ‘Kush ka vërejtje, le t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese’. Atëherë pyetja është: Po kërkohet drejtësi kushtetuese apo po kërkohet kohë?”, deklaroi ai.

Gashi theksoi se dërgimi i çështjes sërish në Gjykatën Kushtetuese nuk do ta funksionalizojë Kuvendin dhe nuk do ta zgjidhë krizën politike.

Në fund, ai vlerësoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po synon ta zvarrisë procesin politik me qëllim që të krijojë rrethana për të kërkuar një mandat edhe më të madh qeverisës.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *