Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar politike në vend, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Musliu tha se institucionet e Kosovës janë futur në një krizë të thellë dhe se sistemi politik është në gjendje të rëndë.
“Institucionet e shtetit janë futur në një situatë shumë të rëndë. Sistemi politik në Kosovë është për tokë”, deklaroi ajo.
Musliu rikujtoi deklaratat e mëhershme të Albin Kurtit, i cili kishte thënë se ai që shkel ligjin është kriminel, ndërsa ai që shkel Kushtetutën është “super-kriminel”.
Duke iu referuar kësaj deklarate, deputetja e PDK-së tha se përgjegjësit për bllokadën aktuale të Kuvendit janë pikërisht Kurti dhe Dehari.
“Ju e dini shumë mirë sa e sa herë neve na është thënë nga Albin Kurti, që ai që shkel ligjin është kriminel, e ai që e shkel Kushtetutën është super-kriminel. Dhe nëse ti më pyet mua direkt se kush po na e ndalon me shku në Kuvend ose kush e ka uzurpuar Kuvendin, unë e them me bindje të plotë dhe me argumente të forta që Kuvendin po na e ndalojnë dy super-kriminela, e në këtë rast janë Albin Kurti edhe Avni Dehari”, u shpreh Musliu.
Deklaratat e saj vijnë në kohën kur kriza politike për konstituimin e Kuvendit vazhdon, ndërsa partitë politike mbeten të ndara lidhur me mënyrën e tejkalimit të ngërçit institucional.

Be First to Comment