Skip to content

Kjo është Aurora, që i dashuri e hodhi nga Ballkoni

Një zhvillim i rëndësishëm ka shënuar procesin gjyqësor për vdekjen tragjike të Aurora Tilës, 13-vjeçares shqiptare që humbi jetën në Itali në tetor të vitit 2024.

Gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën e Apelit, ish-i dashuri i saj ka ndryshuar deklarimet e mëparshme dhe ka pranuar për herë të parë përgjegjësinë për ngjarjen, duke deklaruar se ishte ai që e hodhi të miturën nga ballkoni i një pallati në qytetin Piacenza, më 25 tetor 2024.

Para trupit gjykues, i riu ka kërkuar falje për veprimin e tij dhe për faktin që nuk e kishte pranuar më herët të vërtetën.

“E hodha unë nga ballkoni, më falni,” ka deklaruar ai gjatë seancës, duke shprehur pendesë për ngjarjen.

Në gjykimin e shkallës së parë, i mituri ishte dënuar me 17 vjet burg nga Gjykata për të Mitur, ndërsa pranimi i fundit i fajësisë pritet të merret në konsideratë gjatë shqyrtimit të çështjes në apel.

Gjykata e Apelit ka njoftuar se vendimi përfundimtar do të shpallet më 10 shtator, kur do të vendoset nëse dënimi do të mbetet i pandryshuar apo do të ndryshohet.

Lidhur me zhvillimet e fundit ka reaguar edhe Emilio Malaspina, avokati i nënës së viktimës, i cili e ka cilësuar pranimin e fajësisë si një hap të rëndësishëm drejt zbardhjes së plotë të së vërtetës.

Megjithatë, ai ka kërkuar që ky pranim të mos ndikojë në uljen e dënimit, duke theksuar se pesha e veprës penale mbetet e njëjtë pavarësisht pendesës së shprehur në këtë fazë të procesit.

Vdekja e Aurora Tilës kishte tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri për shkak të moshës së saj të re dhe rrethanave të rënda në të cilat humbi jetën.

Procesi gjyqësor vazhdon, ndërsa vendimi i Gjykatës së Apelit pritet të përcaktojë përfundimisht përgjegjësinë penale në këtë rast.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *