Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të zhbllokuar situatën institucionale në vend.
Duke folur për mediat, Kurti tha se është në komunikim të vazhdueshëm me liderët e partive politike dhe se dialogu mbetet mënyra e vetme për të gjetur një zgjidhje që do t’i hapte rrugë konstituimit të institucioneve.
“Jemi në komunikim edhe do të përpiqemi për çdo ditë që ta arrijmë marrëveshjen politike, në mënyrë që t’i shmangim zgjedhjet e panevojshme, të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten”, deklaroi Kurti.
Ai ritheksoi se vendi ka nevojë për bashkëpunim politik dhe jo për një proces të ri zgjedhor, duke u bërë thirrje partive parlamentare që të ulen në tryezën e bisedimeve.
“U bëj thirrje edhe një herë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e të merremi vesh, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duan zgjedhje, duan zgjidhje. E zgjidhja është marrëveshja politike”, u shpreh ai.
Deklarata e Kurtit vjen në kohën kur Kosova vazhdon të përballet me ngërç institucional pas moskonstituimit të Kuvendit, ndërsa përplasjet politike rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe çështjes së presidentit kanë bllokuar formimin e institucioneve të reja.
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se synon një marrëveshje më të gjerë politike për të shmangur zgjedhjet e reja, ndërsa partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë që fillimisht të përfundojë procesi i konstituimit të Kuvendit, në përputhje me afatet dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësisht dallimeve mes palëve, Kurti ka theksuar se komunikimi me liderët politikë do të vazhdojë çdo ditë, me shpresën se do të arrihet një kompromis që do t’i japë fund bllokadës institucionale dhe do të mundësojë funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.

Be First to Comment