Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke kritikuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për mënyrën se si, sipas tij, po i qaset negociatave për formimin e institucioneve të reja.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoti ka thënë se LDK-ja nuk po e respekton rezultatin e zgjedhjeve, por po tenton ta shfrytëzojë atë për të siguruar poste institucionale.
Sipas tij, kërkesat e LDK-së lidhen më shumë me menaxhimin e çështjeve të brendshme të partisë sesa me interesin e qytetarëve.
“Ndërkaq LDK-ja, në vend që rezultatin zgjedhor ta lexojë siç është, po tenton që votën e qytetarëve ta shndërrojë në monedhë për pazare të brendshme. Po kërkon që apetitet dhe problemet e veta të brendshme t’i qetësojë me pozita institucionale të cilat qytetari nuk ia ka dhënë me votë. Jo! Demokracia nuk funksionon kështu”, ka shkruar Hoti.
Deklarata e ministrit në detyrë vjen në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zhvilluar disa takime për të arritur një marrëveshje politike, por deri më tani pa rezultat.
LDK-ja ka insistuar se për një marrëveshje politike duhet të ketë balancë institucionale, ndërsa ka kërkuar që posti i presidentit t’i takojë kësaj partie. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se kërkesat e LDK-së nuk përputhen me rezultatin e zgjedhjeve.
Pavarësisht deklaratave dhe shkëmbimit të qëndrimeve mes palëve, negociatat për formimin e institucioneve të reja mbeten të hapura, ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje politike.

Be First to Comment