Skip to content

Momentum i ri politik? Janë siguruar nënshkrimet!

Një zhvillim i ri politik është shënuar në prag të skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka bërë të ditur se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit pritet të mbahet sonte, duke theksuar se tashmë janë siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e saj.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Kadrijaj tha se deputetët do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit deri në zhvillimin e seancës.

“Deputetët do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit dhe janë siguruar nënshkrimet e nevojshme”, ka deklaruar ajo.

Ky zhvillim vjen në ditën kur përfundon afati i përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur një njoftim zyrtar nga Kuvendi i Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive të ndërprerë një ditë më parë.

Seanca ishte ndërprerë me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kishte kërkuar kohë shtesë për konsultime me partitë politike në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Nëse seanca mbahet sonte, ajo mund të përbëjë një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

Në të kundërtën, nëse procesi nuk përmbyllet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, pritet të hapen çështje të reja juridike dhe politike, të cilat mund të kërkojnë interpretim nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *