Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka bërë të ditur se sonte pritet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se tashmë janë siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e saj.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Kadrijaj deklaroi se deputetët do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit në pritje të zhvillimeve.
“Deputetët do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit dhe janë siguruar nënshkrimet e nevojshme”, ka deklaruar ajo.
Ky zhvillim vjen në ditën kur përfundon afati i përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur një njoftim zyrtar nga Kuvendi për vazhdimin e seancës konstituive të ndërprerë të enjten.
Seanca ishte ndërprerë me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kishte kërkuar kohë shtesë për konsultime me partitë politike me synimin për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Nëse seanca mbahet sonte, ajo mund të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të krizës institucionale dhe përmbylljes së procesit të konstituimit të Kuvendit.
Në të kundërtën, nëse procesi nuk përfundon brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, situata mund të sjellë pasoja të reja juridike dhe politike, për të cilat pritet interpretim nga institucionet kompetente, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Be First to Comment