Aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës pas debatit të fundit për cilësinë e disa produkteve të qumështit, duke e bërë përgjegjëse për, sipas tij, dështimin në mbështetjen e prodhimit vendor dhe garantimin e sigurisë ushqimore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjinovci tha se ka ardhur deri në atë pikë sa t’u bëjë thirrje qytetarëve të mos blejnë produkte vendore, duke fajësuar institucionet për mungesën e kontrollit dhe standardeve.
“Erdh dita me thanë: mos bleni produkte vendore. Faji është komplet i qeverisë. Hej shekulli 21 mos me mujt me prodhu dhe kontrollu kualitetin.”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, ai kritikon faktin që Kosova vazhdon të importojë produkte bazë ushqimore, duke thënë se shteti duhet të investojë më shumë në bujqësi, blegtori dhe industrinë ushqimore.
“Qeveria duhet me stimulu prodhimin e çdo ushqimi të mundshëm dhe me u siguru që kualiteti është i naltë. Marre është tamël me importu, grun me importu, kompir me importu.”, është shprehur Gjinovci.
Ai ka akuzuar Qeverinë për dështim në zhvillimin e prodhimit vendor dhe ka kërkuar masa më të ashpra për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Kape atë lopë mjele, kape atë tokë mjelle, kapi ata kompira e maro qipsa e mos difsh kurgjo tjetër me bo. Ndalojeni atë vaj pallme me ligj.”, shkroi ai.
Në fund të reagimit, Gjinovci përdori tone edhe më të ashpra ndaj institucioneve.
“Qeveri dështake, shoqni dështake, tamël s’po mujna me prodhu. Ani ju po hini në BE, ec hiqnu prej shallterit gubana. Me ta gërdit me ka krejt.”, përfundon postimi i tij.
Reagimi i Gjinovcit vjen në kohën kur raporti i fundit i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për produktet e qumështit ka shkaktuar debat të gjerë në opinion publik, ndërsa deklaratat e tij kanë nxitur reagime të shumta dhe diskutime në rrjetet sociale.

Be First to Comment