Një ngjarje e rëndë ka tronditur Meksikën, ku influenceri i njohur Cesar Gastelum u vra të martën gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok.
Sipas autoriteteve lokale, Gastelum ndodhej me disa miq pranë një restoranti të ushqimit të shpejtë në qytetin Culiacán, kur ndodhi sulmi.
Influenceri, i cili numëronte rreth 600 mijë ndjekës në TikTok dhe ishte i njohur për videot e tij humoristike, po komunikonte drejtpërdrejt me ndjekësit në momentin e ngjarjes.
Sipas hetimeve paraprake, dy persona të armatosur që lëviznin me motoçikletë dhe mbanin helmeta iu afruan grupit. Nga pamjet e transmetimit, të cilat janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, dyshohet se njëri prej tyre hapi zjarr në drejtim të influencerit.
Autoritetet konfirmuan se Cesar Gastelum humbi jetën në vendngjarje.
Një zyrtar i sigurisë në shtetin Sinaloa bëri të ditur se policia ka nisur një operacion për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërsa hetimet për motivin e sulmit janë në vazhdim.
Ngjarja ndodhi në Culiacán, kryeqytetin e shtetit Sinaloa, një rajon që prej vitesh përballet me probleme të sigurisë dhe përplasje mes grupeve të krimit të organizuar.
Rasti ka rikthyer në vëmendje edhe vrasjen e influenceres meksikane Valeria Marquez, e cila në maj të vitit 2025 humbi jetën gjatë një transmetimi “live” në TikTok në shtetin Jalisco.
Vrasja e Cesar Gastelum ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku mijëra ndjekës kanë shprehur ngushëllimet për familjen e tij dhe kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa autoritetet meksikane vijojnë kërkimet për kapjen e të dyshuarve.

Be First to Comment