Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Vescovatos, në provincën e Kremonës në Itali, ku një i ri shqiptar humbi jetën pas një konflikti që, sipas hetimeve paraprake, kishte në qendër motivet e xhelozisë.
Viktima është identifikuar si Nurian Dalipaj, 24 vjeç, ndërsa autor i dyshuar është Mattia Miraglia, 32 vjeç, i cili është arrestuar nga autoritetet italiane dhe po hetohet për veprat penale të vrasjes dhe tentativës për vrasje.
Sipas mediave italiane, gjithçka nisi mbrëmjen e së dielës në një lokal në Kremona. Dyshohet se Miraglia pa ish-partneren e tij duke biseduar me 24-vjeçarin shqiptar, situatë që çoi në një debat verbal mes tyre.
Pas përplasjes së parë, konflikti u zhvendos jashtë lokalit, ku pati edhe një përleshje të shkurtër fizike. Më pas, 32-vjeçari u largua dhe u kthye në banesën e tij në Vescovato.
Ngjarja mori një kthesë tragjike pak më vonë, kur Nurian Dalipaj, i shoqëruar nga dy vëllezërit e tij, shkoi pranë shtëpisë së autorit të dyshuar.
Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, Miraglia doli nga banesa i armatosur me një thikë kuzhine. Pas një tjetër debati që degradoi në përleshje, ai dyshohet se e goditi disa herë me thikë 24-vjeçarin shqiptar, duke i shkaktuar një plagë fatale në pjesën e fytit.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të emergjencës, Dalipaj nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Gjatë të njëjtit konflikt u plagos rëndë edhe vëllai 20-vjeçar i viktimës, i cili mori plagë në bark dhe ndodhet i shtruar në repartin e terapisë intensive, ku po merr trajtim mjekësor.
Edhe vetë autori i dyshuar pësoi një dëmtim në dorë gjatë përleshjes dhe, pasi mori ndihmën mjekësore, u arrestua nga karabinierët.
Sipas dëshmive të banorëve dhe personave që njihnin të dyshuarin, tensionet mes palëve kishin nisur prej kohësh dhe lidheshin me ish-partneren e 32-vjeçarit, ndërsa konflikti kishte qenë i vazhdueshëm.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes, motivin dhe përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e vogël të Vescovatos, ndërsa familjarët dhe të afërmit e viktimës janë përballur me një humbje të rëndë.
Shënim: Personi i arrestuar prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Be First to Comment