Skip to content

Vjen një paralajmërim i fuqishëm për Radoiçiqin nga Gjermania

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka përsëritur qëndrimin e Berlinit se të gjithë përgjegjësit për sulmin e armatosur në Banjskë duhet të përballen me drejtësinë, duke theksuar se kjo vlen edhe për Milan Radoiçiqin, i cili nga autoritetet kosovare konsiderohet organizator i sulmit.

Në një intervistë televizive, Rudolph rikujtoi se Gjermania e ka dënuar sulmin e 24 shtatorit 2023 me gjuhën më të ashpër dhe vazhdon të kërkojë që të gjithë autorët të mbajnë përgjegjësi para ligjit.

“E kemi dënuar sulmin atje me termat më të ashpër dhe vazhdojmë ta bëjmë. Kemi thënë se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë. E di që Kosova ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar që është aktiv. Kjo duhet të ndodhë”, deklaroi ambasadori gjerman.

I pyetur nëse Milan Radoiçiq do të arrestohej në rast se do të hynte në territorin e Gjermanisë, Rudolph dha një përgjigje të prerë.

“Ai do të ndalohej, natyrisht”, u shpreh ambasadori.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht se ka pranuar publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa dy zyrtarë të tjerë policorë u plagosën.

Sipas autoriteteve kosovare, ndaj Radoiçiqit është lëshuar një fletarrest ndërkombëtar përmes Interpolit, me kërkesë të Kosovës të përcjellë përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë ndaj 45 personave, ndërsa Milan Radoiçiq figuron në mesin e të akuzuarve dhe përshkruhet si udhëheqësi i grupit terrorist.

Autoritetet kosovare kanë kërkuar vazhdimisht nga Serbia ekstradimin e tij, por deri më tani Beogradi nuk e ka dorëzuar, ndërsa ndaj tij nuk është ngritur asnjë aktakuzë nga organet e drejtësisë serbe.

Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë bërë vazhdimisht thirrje që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të ndiqen penalisht dhe të përballen me drejtësinë.

Deklarata e ambasadorit Rudolph konsiderohet si një riafirmim i qëndrimit të Gjermanisë se autorët e sulmit nuk duhet të mbeten të pandëshkuar dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm për zbatimin e drejtësisë.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *