Bekir Halimi ka reaguar pasi në media u raportua se Ministria e Brendshme e Shqipërisë e ka shpallur atë, së bashku me Valon Beljën, “non grata”, për veprimtari të dyshuara që lidhen me sigurinë e shtetit shqiptar.
Në një deklaratë për Top Channel, Halimi tha se deri në këtë moment nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për një vendim të tillë dhe se është në pritje të konfirmimit përmes Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
“Fillimisht, dua t’ju informoj se këtë informacion nuk e kam të verifikuar zyrtarisht dhe se do ta konfirmoj përmes Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë”, është shprehur ai.
Halimi deklaroi se aktiviteti i fundit që ka zhvilluar në Shqipëri ka qenë në bashkëpunim me Qarkun e Shkodrës, në kuadër të një projekti promovues të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ai tha se, për shkak të kontributit të dhënë në këtë projekt, pret që së shpejti të pajiset edhe me shtetësinë shqiptare.
“Për shkak të kontributit, meritave dhe ndikimit tonë në këtë projekt, presim që së shpejti të na jepet shtetësia shqiptare. Deri atëherë, unë jam subjekt vetëm i ligjeve të shtetit tim dhe këtë çështje fillimisht po e shqyrtoj në komunikim me Ambasadën tonë në Tiranë”, deklaroi Halimi.
Duke iu përgjigjur raportimeve për lidhje të mundshme me organizata të ndryshme, ai i mohoi kategorikisht këto pretendime.
Sipas tij, gjatë gjithë jetës nuk ka qenë i afiluar me asnjë organizatë kombëtare apo ndërkombëtare, ndërsa theksoi se angazhimi i tij i vetëm ka qenë pjesëmarrja në luftërat e UÇK-së në Kosovë dhe në Maqedoni gjatë viteve 1998–2001.
Halimi shtoi se ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, institucion që, sipas tij, përfaqëson të gjithë veprimtarinë e tij fetare.
“Gjithmonë kam qenë pjesë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, e cila është institucioni im i vetëm përfaqësues. Brenda saj kam kryer dhe vazhdoj të kryej të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e mia, si besimtar dhe si hoxhë”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit, Halimi theksoi se do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e tij si imam dhe të promovojë, sipas tij, vlerat fetare dhe morale.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare nuk kanë publikuar ende një sqarim të detajuar lidhur me arsyet e raportuara për shpalljen “non grata” të dy shtetasve nga Maqedonia e Veriut.

Be First to Comment