Janë zbardhur detaje të reja lidhur me incidentin e regjistruar mbrëmjen e së dielës në zonën bregdetare të Palasës, ku u raportuan të shtëna me armë zjarri nga një jaht që lundronte në det.
Sipas informacioneve, alarmi është dhënë rreth orës 21:00, duke vënë në lëvizje Policinë Kufitare, njësinë Delta Force dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë (FNSH), të cilat nisën një operacion të gjerë nga deti dhe toka për lokalizimin e mjetit lundrues.
Operacioni zgjati rreth dy orë, derisa autoritetet arritën ta shoqëronin jahtin në kalatat e Porto Palermos, ku u kryen kontrollet dhe procedurat e nevojshme.
Sipas Policisë, në bord ndodheshin katër persona, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale. Bëhet fjalë për Bruno Çelën, 31 vjeç, Leonard Hasën, 31 vjeç, Afrim Kastratin, 49 vjeç, dhe Pashk Gjonin, 60 vjeç.
Gjatë kontrollit të jahtit dhe të personave që ndodheshin në bord, autoritetet nuk kanë gjetur armë apo sende të tjera të paligjshme. Deri më tani nuk është bërë e ditur se kush dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri dhe as motivi i incidentit.
Sipas të dhënave paraprake, jahti fillimisht kishte marrë drejtimin në jug, ndërsa më pas kishte ndryshuar kurs. Gjatë ndjekjes policore, një nga personat në bord është hedhur në det në përpjekje për t’u larguar, por është kapur më vonë nga Policia Kufitare.
Po ashtu, sipas burimeve, dy persona kanë tentuar t’i afrohen bregut me një gomone për t’iu shmangur autoriteteve. Megjithatë, pasi kanë vërejtur praninë e forcave policore në tokë, janë rikthyer sërish drejt jahtit.
Raportohet gjithashtu se gjatë ndjekjes, jahti ka fikur dritat dhe ka vazhduar lëvizjen në det, në atë që dyshohet të ketë qenë një përpjekje për t’iu shmangur kontrollit të autoriteteve.
Deri në këtë fazë të hetimeve, Policia nuk ka dhënë detaje mbi rrethanat në të cilat janë dëgjuar të shtënat me armë zjarri, si dhe arsyet e tentativës së personave në bord për t’u larguar.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet që në orët në vijim të publikohen më shumë informacione zyrtare.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Be First to Comment