Pas ngjarjes tragjike të mëngjesit të sotëm në Pejë, ku një grua humbi jetën pasi u godit nga treni, kompania hekurudhore Trainkos ka njoftuar për anulimin e dy linjave të planifikuara për ditën e sotme.
Përmes një njoftimi zyrtar, Trainkos bëri të ditur se trenat me numër 760 dhe 4201, në relacionin Pejë–Prishtinë dhe anasjelltas, nuk do të qarkullojnë për shkak të rrethanave të papritura.
“Të nderuar udhëtarë, ju njoftojmë se treni i planifikuar për sot me numër 760 dhe 4201 Pejë–Prishtinë dhe anasjelltas është anuluar për shkak të rrethanave të papritura”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Ndërkohë, Trainkos ka bërë të ditur se treni me numër 4200 do të vazhdojë qarkullimin sipas orarit të rregullt.
Anulimi i linjave vjen pas aksidentit fatal që ndodhi rreth orës 05:35, kur një grua u godit nga treni pak pasi ai ishte nisur nga Peja në drejtim të Fushë Kosovës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima ka humbur jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e lëndimeve të marra. Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi i emergjencës, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar në koordinim me Prokurorinë kompetente, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave që çuan në aksidentin fatal.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura shkaqet e ngjarjes, ndërsa autoritetet kanë nisur veprimet hetimore dhe procedurat e nevojshme për dokumentimin e rastit.
Trainkos u ka kërkuar mirëkuptim udhëtarëve për ndryshimet në qarkullimin e trenave, ndërsa pritet që gjatë ditës të ketë njoftime të tjera lidhur me rikthimin e linjave në funksion.

Be First to Comment