Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar një marrëveshje politike për zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve të reja.
Pas përfundimit të takimit, Kurti tha se palët mbeten me qëndrime të ndryshme dhe se ende nuk është arritur dakordim për çështjet që po diskutohen.
“Marrëveshjen politike nuk e kemi ende. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Kurti në konferencën për media.
Ai la të kuptohet se kërkesat e LDK-së nuk janë në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve, duke nënvizuar se ekziston një hendek i madh mes fuqisë elektorale të partive dhe asaj që po kërkohet në negociata.
Megjithatë, Kurti nuk e përjashtoi mundësinë e vazhdimit të bisedimeve, duke lënë të kuptohet se dialogu ndërmjet partive politike do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me synimin për të gjetur një zgjidhje që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut u zhvillua në një moment vendimtar për skenën politike në Kosovë, ndërsa vendi po përballet me afatet kushtetuese për konstituimin e legjislaturës së re.
Pavarësisht mosarritjes së marrëveshjes, pritet që gjatë mbrëmjes të ketë zhvillime të tjera politike lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe përpjekjet për zhbllokimin e procesit institucional.

Be First to Comment