Skip to content

Abdixhiku pas takimit me Kurtin njofton se çka u bisedua!

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Jemi shumë larg marrëveshjes, pa balancë institucionale nuk ka marrëveshje politike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka sjellë ndonjë afrim të qëndrimeve, duke theksuar se palët mbeten shumë larg një marrëveshjeje politike.

Pas përfundimit të takimit, Abdixhiku u shpreh se nuk ka zhvillime të reja që mund të çojnë drejt zhbllokimit të situatës politike.

“Nuk kam lajme të reja, por jemi shumë, shumë larg marrëveshjes”, deklaroi ai para mediave.

Kreu i LDK-së theksoi se partia e tij nuk sheh asnjë arsye që të vonohet konstituimi i Kuvendit, duke ia lënë përgjegjësinë për këtë proces partisë fituese të zgjedhjeve.

“Për LDK-në dhe për mua nuk ka asnjë arsye të vonohet konstituimi dhe të zgjidhet kryetari, kryesia. Sot duhet të ketë seancë. Është përgjegjësi e partisë së parë”, u shpreh Abdixhiku.

Ai paralajmëroi se çdo vonesë e mëtejshme vetëm sa e bën më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Në çështje të tjera, sa më shumë që vonohemi, natyrisht që marrëveshja bëhet më e vështirë. Nuk kam lajme të reja dhe ju them se jemi shumë, shumë larg marrëveshjes”, tha ai.

Abdixhiku ritheksoi se LDK-ja mbetet në qëndrimin e saj se pa një balancë institucionale nuk mund të ketë marrëveshje politike mes partive.

“Përderisa nuk ka balancë institucionale, nuk ka marrëveshje politike”, deklaroi lideri i LDK-së.

Ai shtoi se gjatë gjithë procesit është përpjekur të veprojë me vullnet të mirë për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte fund bllokadës institucionale, por sipas tij, zhvillimet e deritanishme nuk japin shumë shpresë.

“Jam përpjekur me vullnet të mirë. Lehtë është me shkaktua zgjedhje të reja. Qëllimi im dhe i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhje, jo kush kë po e mund, e mashtron apo e vonon. Në këtë pikë, me keqardhje të madhe them se jemi në një rrugë që nuk ka zgjidhje”, përfundoi Abdixhiku.

Deklaratat e tij vijnë pak pasi edhe Albin Kurti konfirmoi se takimi mes dy liderëve nuk prodhoi marrëveshje, duke theksuar se ekziston një dallim i madh mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së. Këto zhvillime ndodhin në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, nga e cila pritet të varet ecuria e mëtejshme e procesit të formimit të institucioneve të reja.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *