Gazetarja e njohur turke Müge Dağıstanlı ka publikuar listën e aktorëve më të paguar të serialeve turke për sezonin e ri televiziv, duke zbuluar edhe buxhetet rekord të prodhimeve më të ndjekura në Turqi.
Sipas raportimit të publikuar në Onedio, serialet më të suksesshme të momentit, si “Eşref Rüya”, “Uzak Şehir” dhe “Veliaht”, po realizohen me kosto shumë të larta, ndërsa aktorët kryesorë përfitojnë honorare që arrijnë deri në 126 mijë euro për një episod.
Seriali “Eşref Rüya” konsiderohet një nga prodhimet më të shtrenjta të momentit, me një kosto prej rreth 26 milionë lirash turke për episod, që përkthehet në afërsisht 740 mijë euro.
Në këtë projekt, aktori i njohur Çağatay Ulusoy paguhet rreth 3.1 milionë lira turke, ose afro 90 mijë euro për çdo episod.
Ndërsa partnerja e tij në serial, Demet Özdemir, përfiton rreth 2 milionë lira turke, që korrespondojnë me rreth 57 mijë euro për episod.
Edhe seriali “Uzak Şehir” renditet ndër prodhimet më të kushtueshme të sezonit, me një buxhet prej rreth 22 milionë lirash turke për episod, ose rreth 628 mijë euro.
Ylli i këtij seriali, Kenan İmirzalıoğlu, rezulton të jetë aktori më i paguar në listë, duke marrë 4.4 milionë lira turke, që përkthehen në rreth 126 mijë euro për çdo episod të xhiruar.
Krahas tij, aktorja Afra Saraçoğlu përfiton rreth 2.4 milionë lira turke, ose afërsisht 69 mijë euro për episod.
Në mesin e serialeve me buxhet më të lartë është edhe “Veliaht”, i cili kushton rreth 20 milionë lira turke për episod, ose rreth 571 mijë euro, duke u renditur ndër projektet më ambicioze të industrisë televizive turke.
Sipas gazetares Müge Dağıstanlı, rritja e ndjeshme e pagave dhe kostove të prodhimit lidhet me konkurrencën gjithnjë e më të fortë mes platformave digjitale dhe televizioneve kombëtare, të cilat po garojnë për të siguruar aktorët më të njohur dhe projektet më të suksesshme.
Industria e serialeve turke vazhdon të jetë një nga më të fuqishmet në botë, ndërsa produksionet e saj eksportohen në dhjetëra shtete dhe ndiqen nga miliona shikues në mbarë globin.

Be First to Comment