30 mijë euro zhduken pas një nate në diskotekë në Prishtinë, Policia nis hetimet për vjedhje të rëndë
Një rast i pazakontë i dyshuar i vjedhjes së rëndë është duke u hetuar nga Policia e Kosovës, pasi një i ri nga Diaspora ka raportuar se i janë zhdukur 30 mijë euro pas një nate të kaluar në një diskotekë në Prishtinë.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 05:00, në rrugën “Kadri Zeka”, pranë lokalit “Gizzi Grill”, ku viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi kishte konstatuar mungesën e shumës së konsiderueshme të parave.
Bazuar në deklarimin e tij, ai kishte kaluar mbrëmjen në diskotekën “LIT”, ku kishte qenë në shoqërinë e disa personave me të cilët ndante të njëjtën tavolinë.
Sipas raportimit, gjatë qëndrimit në diskotekë ai kishte përmendur se kishte me vete një shumë të madhe parash, fakt që dyshohet se mund të ketë ndikuar në zhvillimet e mëvonshme.
Pas largimit nga diskoteka, ai kishte vazhduar me të njëjtin grup drejt një lokali tjetër në afërsi.
Në një moment, teksa po vendoste çelësat e veturës në çantën e tij, kishte vërejtur se 30 mijë eurot nuk ndodheshin më aty.
Menjëherë pas raportimit, njësitet e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet e para hetimore për zbardhjen e rastit.
Sipas burimeve, personat që kishin qenë në shoqërinë e ankuesit janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim në cilësinë e dëshmitarëve.
Gjithsej gjashtë persona janë intervistuar nga hetuesit, të cilët po përpiqen të sqarojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe të identifikojnë personin ose personat që mund të jenë të përfshirë në zhdukjen e parave.
Rasti është iniciuar nga Policia si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse janë siguruar prova nga kamerat e sigurisë apo nëse ekziston ndonjë i dyshuar konkret.
Policia ka theksuar se të gjitha rrethanat e rastit do të zbardhen pas përfundimit të hetimeve, ndërsa personat e intervistuar trajtohen si dëshmitarë dhe çdo person i përfshirë prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Be First to Comment