Pas më shumë se një muaji kërkimesh intensive, është gjetur trupi i Luigi Cavallarit, bashkëshortit të ministres italiane për Familjen, Lindshmërinë dhe Mundësitë e Barabarta, Eugenia Roccella.
Sipas mediave italiane, trupi i 74-vjeçarit u lokalizua në mëngjesin e 4 gushtit në ujërat e liqenit Vico, në provincën e Viterbos, ku ai ishte zhdukur që nga 27 qershori.
Ngjarja tragjike ndodhi teksa Cavallari po lundronte me varkë së bashku me bashkëshorten e tij. Në një moment ai u hodh në ujë, por nuk u pa më duke dalë në sipërfaqe.
Alarmin për zhdukjen e tij e kishte dhënë vetë ministrja Eugenia Roccella, ndërsa menjëherë pas incidentit autoritetet italiane nisën një operacion të gjerë kërkimi.
Sipas dyshimeve paraprake të hetuesve, shkaku më i mundshëm i vdekjes lidhet me një shok termik, një gjendje që mund të shkaktohet nga ndryshimi i menjëhershëm i temperaturës së trupit pas hyrjes në ujë.
Pas gjetjes së trupit, ministrja Roccella reagoi me një mesazh prekës, duke thënë se kishte marrë fund një periudhë e gjatë dhe e dhimbshme pritjeje për familjen e saj.
“Mori fund një periudhë pritjeje e mundimshme”, u shpreh ajo, ndërsa falënderoi të gjitha institucionet dhe ekipet që morën pjesë në kërkim.
Ajo shprehu mirënjohje për Prefekturën e Viterbos, zjarrfikësit, policinë, karabinierët, Guardia di Finanza, si dhe për autoritetet lokale dhe banorët e Roncigliones, të cilët, sipas saj, ofruan mbështetje gjatë gjithë kësaj periudhe.
Ministrja theksoi se, edhe pse gjetja e trupit nuk e zbut dhimbjen e humbjes, ajo i jep familjes mundësinë që t’i japë lamtumirën e fundit njeriut të tyre të dashur.
Operacioni i kërkimit zgjati më shumë se një muaj dhe u cilësua si mjaft i ndërlikuar për shkak të kushteve të vështira në liqenin Vico.
Sipas autoriteteve, dukshmëria shumë e kufizuar nën ujë, prania e baltës, llumit dhe algave në fund të liqenit e vështirësuan ndjeshëm lokalizimin e trupit.
Për këtë arsye, ekipet e kërkim-shpëtimit përdorën teknologji të avancuar, përfshirë sonarë dhe robotë nënujorë, për të kontrolluar çdo sinjal të evidentuar gjatë operacionit.
Autoritetet italiane pritet të publikojnë rezultatet përfundimtare të ekzaminimeve mjeko-ligjore, të cilat do të përcaktojnë zyrtarisht shkakun e vdekjes së Luigi Cavallarit.

Be First to Comment