Janë mësuar detaje të reja lidhur me aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Kliçinë, në magjistralen Pejë–Prishtinë, ku një person humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të lënduar.
Sipas informacioneve të Gazetës Sinjali, viktima e aksidentit është Brahim Delijaj nga Klina, i cili nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra si pasojë e përplasjes.
Aksidenti ishte raportuar në Polici rreth orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa në të janë përfshirë tri automjete.
Si pasojë e aksidentit, katër persona kishin pësuar lëndime dhe ishin transportuar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor.
Pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor për t’ia shpëtuar jetën, Brahim Delijaj nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve. Vdekja e tij është konfirmuar nga mjeku kujdestar në Emergjencë.
Më herët, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, kishte konfirmuar se në aksident ishin përfshirë tri vetura dhe se njëri nga katër personat e lënduar kishte humbur jetën.
“Rreth orës 5 të mëngjesit Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Kliqinë, në magjistralën Pejë-Prishtinë. Në aksident janë të përfshira tri vetura. Katër persona kanë marrë lëndime, ku të njëjtit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë. Por, njërit nga të lënduarit mjeku kujdestar në Emergjencë ia ka konfirmuar vdekjen. Në vendin e ngjarjes janë të gjitha njësitë kompetente policore”, kishte deklaruar Gashi.
Rrethanat dhe dinamika e saktë që çuan deri te aksidenti me fatalitet ende nuk janë bërë të ditura.
Njësitë kompetente policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e përplasjes së tri automjeteve.
Ende nuk janë bërë publike identitetet dhe gjendja shëndetësore e tre personave të tjerë që mbetën të lënduar.
Hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit tragjik në Kliçinë po vazhdojnë.

Be First to Comment