Partia Demokratike e Kosovës ka përsëritur kërkesën drejtuar kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës sipas moshës, Avni Dehari, duke kërkuar që nesër, më 18 gusht, në orën 11:00, të thirret vazhdimi i seancës konstituive.
PDK ka insistuar se roli i Deharit në këtë proces është procedural dhe se ai nuk mund të vendosë politikisht nëse dhe kur duhet të vazhdojë seanca.
Sipas partisë, deputetët e zgjedhur duhet të kenë mundësinë të ushtrojnë mandatin e marrë nga qytetarët dhe të vazhdojnë procesin për konstituimin e Kuvendit.
“PDK ia rikujton z. Dehari se ai ndodhet në atë pozitë vetëm për ta mundësuar zhvillimin e seancës dhe konstituimin e Kuvendit, jo për të vendosur politikisht nëse dhe kur do të vazhdojë ajo”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia ka theksuar se kompetencat e kryesuesit janë të përkohshme dhe të kufizuara nga rendi kushtetues dhe parlamentar.
“Roli i tij është procedural, i përkohshëm dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit”, ka deklaruar PDK.
“Z. Dehari, thirreni seancën”
PDK i është drejtuar drejtpërdrejt Deharit, duke kërkuar që seanca të mos vonohet më.
“Z. Dehari, thirreni seancën. Deputetët janë zgjedhur për të qenë në Kuvend, jo për të pritur vullnetin politik të askujt”, thuhet në kërkesë.
PDK ka paralajmëruar se, pavarësisht zhvillimeve të tjera, deputetët e saj do të paraqiten nesër në orën 11:00 në sallën e Kuvendit.
“Nesër, në orën 11:00, PDK do të jetë në sallë”, ka bërë të ditur partia.
Kjo nuk është hera e parë që PDK i drejtohet Deharit me një kërkesë të tillë. Partia ka insistuar edhe më herët për vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa Dehari ka mbajtur qëndrimin se përparësi duhet t’i jepet arritjes së një marrëveshjeje politike që do të mundësonte zhbllokimin e institucioneve.
Përplasja rreth vazhdimit të seancës vjen në një periudhë të ngarkuar politike, ku partitë ende nuk kanë arritur një marrëveshje që do t’i hapte rrugë përfundimit të konstituimit të Kuvendit dhe funksionalizimit të institucioneve të reja.
PDK, megjithatë, po kërkon që procesi parlamentar të vazhdojë pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje politike, duke insistuar se Kuvendi nuk duhet të mbetet i bllokuar në pritje të negociatave mes partive.

Be First to Comment