Një rast i dyshuar i ngacmimit është raportuar në Fushë Kosovë, ku një 22-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke pretenduar se një 29-vjeçar e ndiqte dhe paraqitej vazhdimisht në vendin e saj të punës, pavarësisht se ajo nuk dëshironte kontakt me të.
Sipas informacioneve, rasti është denoncuar më 9 gusht, kur e reja ka deklaruar se i dyshuari po e shqetësonte duke shkuar vazhdimisht në vendin ku ajo punonte.
Fillimisht, Policia e ka evidentuar rastin me shënim zyrtar, ndërsa hetimet kanë vazhduar deri në sigurimin e deklaratës së personit të dyshuar.
Tre ditë më vonë, më 12 gusht, 29-vjeçari është intervistuar nga hetuesit. Gjatë deklarimit të tij, ai ka pranuar se kishte shkuar për ta takuar të renë, duke pretenduar se mes tyre kishte pasur kontakte edhe më herët.
Pas intervistimit të të dyshuarit dhe konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është rikualifikuar në vepër penale “Ngacmim”.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 29-vjeçari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.
Personi i ndaluar prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Be First to Comment