Qytetarët e Kosovës po përballen me shtrenjtim të disa shërbimeve bankare, pasi banka komerciale që operojnë në vend kanë ndryshuar ose kanë paralajmëruar rritjen e tarifave për klientët.
Ndryshimet prekin shërbime që përdoren çdo ditë, nga mirëmbajtja e pakove bankare deri te tërheqja e parave në bankomat.
Njëra prej bankave ka paralajmëruar tarifa të reja për klientët e rinj nga 1 tetori. Pakoja e avancuar, e cila aktualisht kushton 5 euro, do të shtrenjtohet me 3 euro, duke arritur në 8 euro, ndërsa për pakon Standard+ tarifa do të jetë 3.99 euro.
Një bankë tjetër ka rritur ndjeshëm tarifën për tërheqjen e parave në bankomatet jashtë degëve të saj.
Nga 20 centë në 48 centë për një tërheqje
Një prej ndryshimeve që mund të prekë drejtpërdrejt klientët është rritja e tarifës për tërheqjen e parave.
Shërbimi që më parë kushtonte 0.20 euro tashmë do të kushtojë 0.48 euro.
Në përqindje, kjo përfaqëson një rritje prej 140 për qind.
Për një klient që kryen disa tërheqje gjatë muajit, shuma individuale mund të duket e vogël, por në nivel vjetor dhe për mijëra klientë kostoja shtesë bëhet shumë më e konsiderueshme.
Pakoja prej 5 eurosh shkon në 8 euro
Ndryshime janë paralajmëruar edhe në tarifat e pakove bankare.
Pakoja e avancuar, që aktualisht kushton 5 euro, do të rritet me 3 euro.
Kjo nënkupton se çmimi i ri do të arrijë në 8 euro, ose 60 për qind më shumë krahasuar me tarifën aktuale.
Ndërkohë, për pakon Standard+ është paralajmëruar një tarifë prej 3.99 eurosh.
Ndryshimet pritet të aplikohen për klientët e rinj nga 1 tetori.
Mbi 24.6 milionë euro nga komisionet në vetëm tre muaj
Të ardhurat që bankat sigurojnë nga tarifat dhe komisionet vazhdojnë të jenë të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të raportuara për pesë banka, vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti të hyrat nga komisionet kanë kaluar shifrën prej 24.6 milionë eurosh.
Rritja e tarifave pritet të prekë drejtpërdrejt klientët që përdorin rregullisht shërbimet bankare, ndërsa debati tani përqendrohet te pyetja nëse konkurrenca mes bankave në Kosovë është e mjaftueshme për t’i mbajtur kostot e shërbimeve nën kontroll.

Be First to Comment