Një zjarr i madh ka shpërthyer pasditen e së martës në një deponi me goma të përdorura në Vrell, afër Sllatinës, duke shkaktuar re të dendura tymi të zi që janë përhapur në të gjithë zonën.
Pamjet e siguruara nga Klankosova.tv tregojnë flakët dhe tymin e madh që ngrihet nga deponia ku grumbullohen goma jashtë përdorimit, e cila ndodhet pranë rrugës kryesore.
Lajmin e ka konfirmuar për Klankosova.tv komandanti i zjarrfikësve të Lipjanit, Sadri Shamolli, i cili sqaroi se zjarri ka përfshirë pistën e garave me automjete në Vrell, ku ndodheshin goma të grumbulluara.
“Po, kemi të bëjmë me goma në pistën e garave me automjete në Vrell. Lajmin e kemi pranuar nga Policia e Lipjanit në ora 13:35, ndërsa tani janë të angazhuara njësitet nga Prishtina dhe Drenasi. Nuk ka persona të lënduar”, deklaroi Shamolli.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar disa ekipe zjarrfikësish, të cilët po punojnë për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit, me qëllim që flakët të mos përhapen në zonat përreth.
Edhe komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për rajonin e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar se njësitet janë angazhuar menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe po vazhdojnë operacionin për vënien e situatës nën kontroll.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale pritet të vlerësohen pasi zjarri të shuhet plotësisht.
Klankosova.tv ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për më shumë detaje rreth rastit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje zyrtare.
Shkaqet e shpërthimit të zjarrit mbeten ende të panjohura dhe pritet të sqarohen pas përfundimit të hetimeve nga autoritetet kompetente.

Be First to Comment