Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës dhe deputeti më i vjetër i kësaj legjislature, Avni Dehari, ka deklaruar se vazhdimi i seancës konstituive do të thirret vetëm pasi të arrihet një marrëveshje politike mes partive për tejkalimin e bllokadës institucionale.
Sipas Deharit, mbajtja e seancave pa një dakordim paraprak nuk do të sillte asnjë rezultat konkret dhe do të ishte vetëm një formalitet.
“Seanca e radhës do të thirret sapo të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Pa një marrëveshje nuk ka kuptim të mbahet seanca vetëm për formalitet. Se po ndodhin ato parashikime, por nuk ka sanksione, e derisa nuk ka sanksione nuk mund të quhet shkelje. Edhe kjo s’po bëhet, për të mos respektuar rregulloren ose Kushtetutën, por për ta gjetur një zgjidhje”, tha Dehari.
Ai rikujtoi edhe periudhat e mëhershme kur Kuvendi kishte mbajtur dhjetëra seanca pa arritur ndonjë rezultat.
“Më 28 dhjetor 57 herë, nëse s’gabohem, shkuam mbajtëm seanca, apo? Edhe nuk sollën kurrfarë rezultati. Çfarë kuptimi do të kishte tash, për shembull, të mbajmë seanca njëra pas tjetrës edhe prapë të mos ketë rezultate? Qytetarët janë të interesuar për zgjidhje, jo për me pa se sa seanca po mbahen”, u shpreh ai.
Dehari theksoi se zgjidhja e ngërçit është e mundur nëse partitë politike arrijnë marrëveshje për çështjet kyçe.
“Edhe ata që në këtë rast po kërkojnë të mbahet seanca, të zgjidhet kryetari i Kuvendit e të zgjidhet kryeministri, e kanë shumë lehtë. Le të merren vesh për një president edhe mbahet pastaj një seancë edhe zgjidhen të gjitha institucionet, bëhet zgjidhja. Se qëllimi është të bëhet zgjidhja, jo vetëm të mbahen seanca për pamje”, deklaroi Dehari.
Deklarata e tij vjen në kohën kur procesi i konstituimit të Kuvendit vazhdon të mbetet i bllokuar, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Be First to Comment