Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar shumicën parlamentare për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Punës së Kuvendit.
Përmes një videoje të publikuar nga ambientet e Kuvendit të Kosovës, Tahiri tha se në atë orar ishte paraparë të vazhdonte seanca për konstituimin e Kuvendit, por deputetët nuk kishin marrë asnjë njoftim apo ftesë zyrtare.
“Po ju drejtohem nga Kuvendi. Në këtë kohë është dashur të fillojë vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, e nuk kemi asnjë ftesë. Është shkelur Rregullorja e Punës së Kuvendit, është shkelur aktvendimi i Kushtetueses”, deklaroi Tahiri.
Deputeti i AAK-së tha se godina e Kuvendit është pothuajse e zbrazët dhe pa aktivitet, duke e cilësuar situatën si të papranueshme për institucionin më të lartë ligjvënës në vend.
“Ky Kuvend është bërë një vend muzeal, është thatë, askush. Thonë që janë hapur zyrat për vëllezërit dhe motrat e diasporës, nuk ka asnjë lëvizje të vetme. Mund ta shihni vetë se si është situata në Kuvend”, u shpreh ai.
Tahiri theksoi se Kuvendi nuk mund të mbetet i bllokuar, pasi sipas tij deputetët kanë obligim kushtetues të ushtrojnë mandatin e tyre dhe të funksionalizojnë institucionet.
“Nuk guxon Kuvendi të bëhet muze. Kuvendi është këtu për ta ushtruar funksionin e vet, për ta filluar punën. Kjo bllokadë është shkelje dhe abuzim”, deklaroi deputeti i Aleancës.
Reagimi i Tahirit vjen në kohën kur kriza politike rreth konstituimit të Kuvendit vazhdon të thellohet, ndërsa partitë parlamentare mbeten pa marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
Opozita vazhdon të insistojë se afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese ka skaduar dhe se çdo vonesë e mëtejshme përbën shkelje të rendit kushtetues, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mbron qëndrimin se dialogu politik duhet të vazhdojë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Be First to Comment