Skip to content

Meterologu Hakil Osmani na zbulon ferrin e motit që na pret javën e ardhshme

Shqipëria do të vijojë të përballet me temperatura ekstreme edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit nuk do të largohet të paktën deri në fund të javës së ardhshme.

Meteorologu Hakil Osmani ka bërë të ditur se fundjava dhe ditët në vijim do të karakterizohen nga mot shumë i nxehtë, me temperatura që në disa zona të vendit do të arrijnë deri në 41 gradë Celsius.

Sipas Osmanit, qarku i Elbasanit dhe ai i Beratit do të regjistrojnë temperaturat më të larta, deri në 41°C, ndërsa Shkodra dhe Gjirokastra do të shënojnë rreth 40°C. Më të freskëta pritet të mbeten vetëm zonat juglindore të vendit.

“Kjo e shtunë mbetet me temperatura të larta, pasi territori ynë mbetet nën ndikimin e valëve të të nxehtit. Me 41°C mbetet qarku i Elbasanit dhe Beratit, ndërsa Shkodra dhe Gjirokastra me 40°C. Zona që është më e freskët është juglindja”, u shpreh Osmani.

Sipas tij, edhe dita e diel do të jetë po aq e nxehtë, me temperatura që në zonat e ulëta do të luhaten mes 40 dhe 41 gradë Celsius, ndërsa orët e para të mëngjesit do të jenë disi më të freskëta, me temperatura rreth 18°C.

Meteorologu shtoi se gjatë orëve të pasdites mund të ketë reshje të izoluara shiu, kryesisht në zonat lindore të vendit, por ato nuk pritet të ndikojnë ndjeshëm në uljen e temperaturave.

Parashikimet tregojnë se edhe java e ardhshme do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore shumë të nxehta, me temperatura që do të luhaten nga 39 deri në 41 gradë Celsius në pjesën më të madhe të territorit.

“Pjesa më e madhe e territorit do të jetë me mot të qëndrueshëm. Ndërkohë, në zona të izoluara pritet të kemi reshje shiu. Temperaturat do të jenë të larta në orët e mesditës. Do të jetë një gusht me temperatura shumë më të larta se normalet”, deklaroi Osmani.

Ekspertët u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore, të cilët janë më të rrezikuar nga temperaturat ekstreme.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *