Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Ksamili, ku një vajzë vetëm 4 vjeç ka humbur jetën pasi dyshohet se u godit aksidentalisht nga automjeti që drejtohej nga babai i saj.
Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30, në një parkim privat pranë zonës së plazhit në Ksamil.
Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se babai i së miturës, shtetasi me inicialet E. M., ishte duke kryer manovrën e parkimit me automjetin e tij tip “Audi”, kur dyshohet se ka goditur aksidentalisht vajzën e tij 4-vjeçare.
Për shkak të plagëve të rënda të marra, e mitura nuk arriti t’i mbijetojë aksidentit dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.
Autoritetet po punojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet që hetimet dhe ekspertizat të përcaktojnë me saktësi dinamikën e aksidentit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Ksamil dhe më gjerë, pasi bëhet fjalë për një aksident tragjik ku viktimë mbeti një fëmijë i mitur.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se hetimet për rastin janë në vijim.

Be First to Comment