Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për cenim të rendit kushtetues dhe bllokim të funksionimit të institucioneve.
Deklarata e Hoxhajt vjen në një moment kur Kosova po përballet me një nga krizat më të mëdha institucionale të viteve të fundit. Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar një afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, ky afat ka skaduar pa u përmbyllur procesi, ndërsa vazhdimi i seancës është caktuar për ditën pas përfundimit të afatit.
Duke folur para vazhdimit të seancës konstituive, Hoxhaj tha se, sipas tij, demokracia në Kosovë është pezulluar prej kohësh dhe se zgjedhjet nuk po prodhojnë më funksionim normal institucional.
“Ka dy vjet që në Kosovë është suspenduar demokracia. Mbahen zgjedhjet, të cilat janë episode të shkurtra demokratike. Krejt çka ndodh në këtë vend është që ka një përmbysje të rendit kushtetues pas çdo rezultati zgjedhor, si përpjekje e Kurtit për ta nënshtruar opozitën”, deklaroi Hoxhaj.
Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por me mënyrën se si po zhvillohet i gjithë procesi politik pas zgjedhjeve. Hoxhaj vlerësoi se vendi po hyn në një periudhë të pasigurisë institucionale, ku, sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk po respektohen dhe procesi demokratik po vihet në pikëpyetje.
Në ditët e fundit, partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të qëllimshme të konstituimit të Kuvendit, ndërsa kanë kërkuar që seanca të mbahej brenda afatit kushtetues. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka argumentuar se po vazhdon konsultimet politike në përpjekje për të arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.
Megjithatë, Hoxhaj theksoi se PDK nuk është kundër funksionimit të sistemit parlamentar dhe se mbetet e përkushtuar ndaj institucioneve demokratike.
“Nuk i themi jo parlamentarizmit”, u shpreh ai.
Deklaratat e Hoxhajt vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku pritet që deputetët të rikthehen në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të arrihet marrëveshja e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe përfundimin e konstituimit të legjislaturës së re.

Be First to Comment