Skip to content

PDK-ja do të marr vendim të fuqishëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, është deklaruar pas skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosrespektim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nga objekti i Kuvendit, Hamza tha se PDK-ja ishte e gatshme të merrte pjesë në seancën konstituive, por sipas tij, administrata e Kuvendit nuk e hapi sallën plenare.

“Administrata e Republikës së Kosovës, fatkeqësisht edhe në këtë aspekt që është çështje teknike, do të thotë administrata e Kuvendit i ka dyert e mbyllura. Jemi këtu për të treguar gatishmërinë tonë për pjesëmarrje në seancën konstituive të Kuvendit, kur është dashur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të procesohet edhe me zgjedhjen e institucioneve të reja të vendit”, deklaroi Hamza.

Ai vlerësoi se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor përbën shkelje të Kushtetutës dhe mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kemi të bëjmë me mosrespektim të mendimit dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që është i saktë dhe preciz, që thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Kjo është shkelje e Kushtetutës, mosrespektim i aktit më të lartë, cenim i demokracisë dhe marrje në dorë e institucioneve në mënyrë antikushtetuese”, u shpreh ai.

Hamza foli edhe për protestat e paralajmëruara nga opozita dhe qytetarët, duke theksuar se ato janë një e drejtë legjitime në një shoqëri demokratike.

Sipas tij, protesta është një mjet demokratik për shprehjen e pakënaqësisë, ndërsa theksoi se qytetarët kanë të drejtë të reagojnë kur vlerësojnë se po cenohet rendi kushtetues dhe funksionimi i institucioneve.

Deklaratat e kreut të PDK-së vijnë pasi afati i përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit skadoi pa u mbajtur seanca, ndërsa partitë opozitare akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e procesit dhe mosrespektim të Kushtetutës.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *