Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se LDK-ja ka kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të mbahej sonte, deri në orën 00:00, me qëllim të respektimit të afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Duke folur nga holli i Kuvendit të Kosovës, Haziri tha se qëndrimi i LDK-së ka qenë i pandryshuar gjatë gjithë procesit dhe se synimi i partisë është mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve.
“LDK ka pritur dhe ka kërkuar, ka ftuar që seanca të mbahet sonte deri në ora 00:00, në mënyrë që të ruhen afatet kushtetuese, të ruhet fryma kushtetuese, germa kushtetuese dhe standardi që kemi arritur tash e sa vite duke qenë edhe udhëheqëse e institucioneve tona në Kosovë, duke qenë bashkëpjesëmarrëse në historinë tonë politike. Edhe sot, edhe asaj dite, besojmë se duhet të vazhdojmë të jemi gardianë të Republikës”, deklaroi Haziri.
I pyetur nëse LDK-ja do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të caktuar për të shtunën në orën 11:00, Haziri konfirmoi se deputetët e kësaj partie do të jenë të pranishëm.
“Natyrisht që grupi parlamentar i LDK-së takohet paradite. Ne ftesën e kemi marrë sot për nesër nga ora 11:00”, tha ai.
Haziri bëri të ditur gjithashtu se LDK mbetet e gatshme të vazhdojë dialogun me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike që do të mundësonte formimin e institucioneve të reja.
Sipas tij, pavarësisht dallimeve politike, komunikimi dhe diskutimet ndërmjet partive duhet të vazhdojnë në interes të vendit dhe të funksionalizimit të institucioneve.
Deklarata e Hazirit vjen në një moment të tensionuar politik, pasi afati për konstituimin e Kuvendit ka kaluar pa u përmbyllur procesi, ndërsa partitë politike vazhdojnë negociatat për zhbllokimin e situatës institucionale.

Be First to Comment