Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin tajlandez, pasi futbollisti Safwan Awae ka humbur jetën pasi u godit nga rrufeja gjatë zhvillimit të një ndeshjeje futbolli.
24-vjeçari, i cili së fundmi ishte transferuar te klubi i Ligës së Tretë tajlandeze Yala FC, po aktivizohej në turneun Golok FA Cup më 4 gusht, në qytetin Su-ngai Kolok, në provincën Narathiwat, kur moti u përkeqësua papritur.
Sipas raportimeve, gjatë takimit mes SAMCOLTS dhe skuadrës kundërshtare, një rrufe goditi fushën e lojës, duke e lënë futbollistin pa ndjenja. Pamjet dhe dëshmitë nga vendi i ngjarjes tregojnë se bashkëlojtarët dhe stafi mjekësor ndërhynë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë dhe për ta rikthyer në jetë.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta për reanimim dhe transportimit të tij për trajtim mjekësor, Safwan Awae nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga goditja e rrufesë.
Nga i njëjti incident mbetën të lënduar edhe disa futbollistë të tjerë, të cilët u dërguan në spital për trajtim mjekësor. Gjendja e tyre nuk raportohet të jetë kërcënuese për jetën.
Pas ngjarjes tragjike, organizatorët vendosën ta ndërpresin menjëherë ndeshjen, ndërsa autoritetet lokale nisën procedurat për dokumentimin e rastit.
Klubi Yala FC reagoi me një mesazh prekës, duke shprehur dhimbjen për humbjen e futbollistit të ri dhe duke u shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të tij. Me mesazhe ngushëllimi reagoi edhe Federata e Futbollit e Tajlandës, e cila e cilësoi vdekjen e Awae si një humbje të madhe për futbollin e vendit.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rrezikun që paraqesin kushtet ekstreme atmosferike gjatë aktiviteteve sportive, ndërsa ekspertët vazhdojnë të apelojnë që ndeshjet të ndërpriten menjëherë në rast të stuhive me rrufe për të shmangur tragjedi të tilla.

Be First to Comment