Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre shqetësime për mënyrën se si u trajtuan dy turistë polakë gjatë pushimeve të tyre në bregdetin e Durrësit.
Një incident i raportuar në bregdetin e Durrësit ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si menaxhohen disa hapësira në plazhet publike, pasi dy turistë nga Polonia pretendojnë se janë urdhëruar të largohen nga deti nëse nuk merrnin me qira çadër dhe shezllone.
Sipas një denoncimi të publikuar nga JOQ Albania, ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës në zonën e Plazhit të Durrësit. Denoncuesi, i cili thotë se jeton prej katër vitesh në Durrës, tregon se djali dhe nusja e tij kishin ardhur nga Polonia për pushime dhe kishin hyrë në det pranë një moli, pasi uji afër bregut ishte i turbullt.
Sipas tij, pak minuta më vonë një i ri iu afrua dhe filloi t’u kërkonte me këmbëngulje që të merrnin shezllone dhe çadër. Familjarët i shpjeguan se do të qëndronin edhe pak minuta në det dhe më pas do të largoheshin, por pretendojnë se i riu u dha një ultimatum.
Në videon e publikuar dëgjohet personi duke u thënë turistëve në gjuhën angleze: “Go out”, duke u kërkuar të largohen nga zona.
Denoncuesi pretendon se personi nuk mbante asnjë badge identifikimi apo shenjë tjetër që do të tregonte se ishte punonjës i një subjekti privat ose person i autorizuar për administrimin e plazhit.
“Tek unë kishin ardhur për vizitë djali dhe nusja ime nga Polonia. Ata po laheshin në det pranë molit, sepse pranë bregut uji ishte i turbullt. Një djalë i ri erdhi dhe filloi të na ofronte me ngulm çadrat dhe shezllonet. I thamë se do të largoheshim pas pesë minutash, por ai na tha: ose merrni çadër, ose largohuni. Për këtë arsye e regjistrova videon. Ai nuk kishte as badge dhe asnjë dokument që të tregonte se përfaqësonte ndonjë subjekt”, ka deklaruar denoncuesi.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me rastin dhe nuk është konfirmuar nëse personi që shfaqet në video ishte i autorizuar të vepronte në atë mënyrë.
Ngjarja ka nxitur diskutime në rrjetet sociale mbi administrimin e plazheve publike dhe të drejtën e qytetarëve dhe turistëve për të shfrytëzuar hapësirat bregdetare. Autoritetet pritet të verifikojnë pretendimet dhe të sqarojnë nëse në këtë rast ka pasur shkelje të rregullave apo tejkalim të kompetencave.
JOQ Albania fton institucionet përgjegjëse të verifikojnë rastin dhe të sqarojnë nëse personi në fjalë ishte i autorizuar të ushtronte një kërkesë të tillë ndaj pushuesve, apo bëhet fjalë për një veprim arbitrar që cenon të drejtën e qytetarëve dhe turistëve për të shfrytëzuar lirshëm hapësirat publike bregdetare.

Be First to Comment