Një video e rrallë me Rrahman Morinën, një nga figurat më të përfolura politike në Kosovë gjatë fundviteve të 80-ta dhe fillimit të viteve të 90-ta, është rikthyer në qarkullim në rrjetet sociale, duke zgjuar interesim dhe diskutime të shumta.
Në pamjet që janë shpërndarë së fundmi, Morina shihet gjatë një mbledhjeje, teksa në një moment humb ekuilibrin, rrëshqet nga karrigia dhe bie në dysheme. Videoja, e cila nuk ishte bërë publike më parë, ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve për shkak të rëndësisë historike të figurës së tij.
Rrahman Morina ishte një prej funksionarëve më të fuqishëm politikë në Kosovë gjatë periudhës së Jugosllavisë. Ai e nisi karrierën në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, ku punoi si pjesëtar i policisë, ndërsa më vonë u ngjit në strukturat e larta të Lidhjes Komuniste të Kosovës.
Emri i tij lidhet ngushtë me zhvillimet politike të asaj kohe dhe ai konsiderohet një nga figurat më kontraverse të periudhës para shpërbërjes së Jugosllavisë, për shkak të rolit që pati në administrimin e Kosovës dhe marrëdhënieve me pushtetin qendror në Beograd.
Morina ndërroi jetë në vitin 1990, në moshën 47-vjeçare, gjatë një mbledhjeje të Partisë Socialiste në Prishtinë. Vdekja e tij ndodhi në një periudhë tensionesh të mëdha politike në Kosovë dhe u pasua nga zhvillime që shënuan një etapë të re në historinë e vendit.
Ai ishte i martuar me Bratislava “Buba” Morina, avokate me origjinë serbe, e cila më vonë ushtroi funksione ministrore në Serbi dhe u angazhua në çështjet që lidhen me refugjatët.
Rikthimi i videos në rrjetet sociale ka nxitur reagime të shumta, duke rikthyer në vëmendje figurën e Rrahman Morinës dhe periudhën e trazuar politike të fundviteve të 80-ta në Kosovë.

Be First to Comment