Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e së enjtes në fshatin Karaqevë e Epërme të Kamenicës, ku një 62-vjeçar ka humbur jetën papritur derisa po qëndronte në një restorant.
Viktima është identifikuar si Naim Kastrati, 62 vjeç.
Sipas informacioneve të siguruara, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40 në restorantin “Te Pishat”, ku Kastrati kishte dalë për të pirë kafe. Gjatë qëndrimit në lokal, atij i është përkeqësuar papritur gjendja shëndetësore, duke humbur ndjenjat para personave që ndodheshin aty.
Qytetarët që kanë qenë të pranishëm kanë njoftuar menjëherë shërbimin emergjent, ndërsa në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi mjekësor nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Rogoqicë. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, mjeku kujdestar ka konstatuar se 62-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Pas marrjes së informacionit, në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet e Policisë së Kosovës, hetuesit dhe ekipi i forenzikës nga Stacioni Policor në Kamenicë, të cilët kanë kryer procedurat e nevojshme.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit, i cili, pas shqyrtimit të rrethanave dhe raportit fillestar mjekësor, ka konstatuar se bëhet fjalë për vdekje natyrale. Për këtë arsye, nuk janë urdhëruar veprime të tjera hetimore.
Vdekja e papritur e Naim Kastratit ka pikëlluar familjarët, miqtë dhe të njohurit e tij, ndërsa rasti është mbyllur nga autoritetet si vdekje natyrale.

Be First to Comment