Skip to content

Nga gëzimi në zi: Një natë më parë Arianiti ishte në dasmë me babain, sot familja Çetaj u godit nga tragjedia

Një tragjedi e rëndë ka goditur familjen e rapsodit të njohur Hasan Çetaj, pasi djali i tij, Arianit Çetaj, është gjetur pa shenja jete paraditen e së enjtes në Pejë.

34-vjeçari u gjet i pajetë në shtëpinë e familjes, në rrugën “Vëllazëria Dalemani”, ndërsa rrethanat e vdekjes së tij janë ende duke u hetuar nga organet kompetente.

Sipas informacioneve, vetëm pak orë para tragjedisë, Arianiti kishte qenë së bashku me babain e tij, rapsodin Hasan Çetaj, dhe pjesën tjetër të familjes në një dasmë në Prizren. Pas përfundimit të ahengut familjar, ata ishin kthyer në shtëpi rreth orës 04:00 të mëngjesit, ku secili ishte tërhequr për të pushuar.

Mirëpo, mëngjesi i së enjtes solli një ngjarje që askush nuk e kishte imagjinuar.

Rreth orës 09:30, babai dhe vëllai i tij e gjetën Arianitin të përkulur mbi një divan në tarracën e shtëpisë. Ata njoftuan menjëherë Emergjencën dhe Policinë, duke shpresuar se ai mund të ndihmohej.

Në vendngjarje mbërriti ekipi mjekësor, por mjeku kujdestar vetëm sa konstatoi vdekjen e 34-vjeçarit.

Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes dolën njësitet e Policisë së Kosovës, hetuesit, krimteknikët dhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, të cilët kryen ekzaminimet e nevojshme dhe siguruan provat në vendin e ngjarjes.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të saktë të vdekjes.

Prokuroria ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes”, ndërsa rezultatet e ekzaminimeve mjeko-ligjore pritet të hedhin dritë mbi rrethanat që çuan në humbjen e jetës së të riut.

Lajmi për vdekjen e Arianit Çetajt ka pikëlluar familjarët, miqtë dhe të njohurit e tij, por edhe shumë qytetarë në Pejë e më gjerë, të cilët njohin prej vitesh familjen Çetaj dhe kontributin e Hasan Çetajt në muzikën folklorike shqiptare.

Nga një mbrëmje gëzimi dhe feste familjare, gjithçka u shndërrua brenda pak orësh në një dhimbje të madhe për familjen Çetaj, e cila sot po përballet me humbjen e parakohshme të djalit të tyre.

Familjes Çetaj, të afërmve dhe miqve të të ndjerit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *