Policia nis hetime ndaj këngëtarit Labinot Rexha, dyshohet se shtiu me armë gjatë një dasme
Një video e siguruar nga Policia e Kosovës ka vënë në lëvizje hetuesit në Klinë, pasi në pamjet e saj shihet një person duke shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.
Sipas informacioneve, personi që dyshohet se shfaqet në video është këngëtari Labinot Rexha.
Burime bëjnë të ditur se videoja ka mbërritur në Polici më 5 gusht, ndërsa pas analizimit të saj, hetuesit kanë arritur ta identifikojnë personin e dyshuar dhe kanë nisur procedurat hetimore.
Sipas dyshimeve fillestare, gjatë performancës muzikore në dasmë, Labinot Rexha ka marrë një pistoletë dhe ka shtënë katër herë në ajër, veprim i cili po hetohet nga autoritetet kompetente.
Burimet bëjnë të ditur se hetuesit kanë kontaktuar me këngëtarin, i cili është njoftuar për rastin dhe ka deklaruar se do të paraqitet në Polici për t’u intervistuar lidhur me ngjarjen.
Ndërkohë, organizatori i dasmës ka deklaruar para hetuesve se arma e përdorur nuk ishte pronë e këngëtarit, por i përkiste një mysafiri që jeton në Austri dhe ndodhej për pushime në Kosovë. Sipas të njëjtit, edhe ai person është zotuar se do të paraqitet në Polici për të dhënë deklaratën e tij.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, Policia ka iniciuar procedurë penale për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim i armës”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë ende në zhvillim dhe se pas intervistimit të personave të përfshirë do të vendoset për hapat e mëtejmë proceduralë.
Shënim: Labinot Rexha dhe personat e tjerë të përmendur prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Be First to Comment