Shqiptarja që jeton në Zvicër, Majlinda Sulejmani, i është drejtuar me një letër të hapur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e ftuar që çështja e Kosovës të trajtohet mbi bazën e ligjit ndërkombëtar dhe realitetit politik, e jo përmes deklaratave politike.
Në letrën e saj, Sulejmani thekson se nuk shkruan me zemërim apo për përfitime politike, por si një grua e Ballkanit që jeton mes rajonit dhe Evropës dhe që beson se paqja ndërtohet përmes dialogut dhe pranimit të realitetit.
Ajo kujton se presidenti serb vazhdon të deklarojë se “Kosova është Serbi”, por shprehet se kjo çështje duhet të diskutohet mbi argumente juridike dhe jo mbi slogane politike.
Sipas saj, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin këshillëdhënës të vitit 2010, ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në letër, Sulejmani thekson se parimi i vetëvendosjes është pjesë e rendit juridik ndërkombëtar dhe se Evropa moderne ndërtohet mbi respektimin e ligjit, institucioneve funksionale dhe bashkëpunimit mes shteteve.
Ajo nënvizon se Kosova sot është një realitet politik dhe institucional, me institucione demokratike dhe qytetarë që e jetojnë këtë realitet çdo ditë.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian synon normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin në rajon, jo rikthimin pas në histori”, thekson ajo.
Majlinda Sulejmani shprehet se nuk i shmanget debatit dhe se beson se një diskutim i bazuar në fakte dhe argumente juridike do t’i shërbente më shumë rajonit sesa retorika që prodhon tensione.
Sipas saj, politika moderne nuk duhet të matet me pretendime territoriale, por me aftësinë për të garantuar paqe, siguri dhe mirëqenie për qytetarët.
Në fund të letrës, ajo apelon për një lidership që sheh drejt së ardhmes, duke theksuar se Ballkani ka nevojë për bashkëpunim dhe jo për konflikte të reja.
“Stabiliteti nuk ndërtohet duke mohuar realitetin, por duke e pranuar atë dhe duke ndërtuar mbi të. Pas çdo debati serioz, për mua mbetet një fakt i thjeshtë: Kosova është Kosovë”, përfundon letra e Majlinda Sulejmanit.

Be First to Comment