Qumështorja “VITA” ka reaguar publikisht pas konferencës për media të ministrit të Bujqësisë, duke kërkuar nga institucionet që të publikojnë rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të produkteve të saj, për të cilat thotë se ende nuk janë bërë publike.
Në reagimin e kompanisë thuhet se gjatë konferencës, ministri ka paraqitur vetëm të dhëna administrative që, sipas saj, janë të qasshme në institucione si Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), pa prezantuar rezultatet e analizave laboratorike.
Sipas VITA-s, kompania tash e 33 ditë është në pritje të rezultateve të analizave të mostrave dhe kishte pritur që ato të bëheshin publike gjatë ditës së sotme.
“Ne jemi të bindur që të gjitha produktet tona janë të etiketuara në përputhje me dispozitat ligjore. Megjithatë, Ministria dhe AUV duhet t’i publikojnë menjëherë rezultatet e analizave të mostrave”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Qumështorja ka kundërshtuar edhe disa nga deklaratat e ministrit që lidhen me funksionimin e kompanisë.
Sipas reagimit, VITA posedon leje ujore dhe një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura, duke hedhur poshtë pretendimet e bëra gjatë konferencës.
Po ashtu, kompania ka reaguar edhe ndaj deklarimeve për numrin e punëtorëve, duke sqaruar se të gjithë të punësuarit janë të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës, nën emrin e subjektit “Abrazen LLC”.
Në fund të reagimit, VITA ka garantuar konsumatorët se produktet e saj prodhohen 100 për qind nga qumështi i freskët i fermerëve kosovarë, duke theksuar se respekton standardet e prodhimit dhe të etiketimit.
Kompania i ka bërë gjithashtu thirrje ministrit që, para se të dalë me deklarata publike, të informohet për faktet dhe të ndalojë, siç i cilëson ajo, “shpifjet” ndaj fabrikës.
Debati mes Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë VITA vjen pas publikimit të rezultateve të monitorimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilat kanë nxitur reagime të shumta në opinion dhe në industrinë e prodhimit të qumështit. Ndërkohë, pritet që institucionet kompetente të publikojnë rezultatet përfundimtare të analizave dhe të sqarojnë të gjitha pretendimet e ngritura nga palët.

Be First to Comment