Kurti mbërrin në Kuvend për takimin me LDK-në: Jam optimist, zgjedhjet duhet të mbahen në vitin 2030
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbërritur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të zhvillojë një takim me delegacionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja.
Para nisjes së takimit, Kurti u deklarua shkurt para gazetarëve, duke shprehur optimizëm për ecurinë e bisedimeve.
“Jam optimist”, tha ai, duke shtuar se synimi duhet të jetë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja këtë vit.
“Duhet që zgjedhje të mos ketë këtë vit, por në vitin 2030”, deklaroi Kurti para mediave.
Ai ritheksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet forcave politike edhe sa i përket zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të vendit, duke lënë të kuptohet se kjo çështje do të jetë pjesë e diskutimeve politike.
Në takimin me përfaqësuesit e LDK-së, Kurti është shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Ky takim konsiderohet si një nga përpjekjet më të rëndësishme për zhbllokimin e situatës politike dhe krijimin e institucioneve të reja, ndërsa mbetet të shihet nëse bisedimet do të rezultojnë me një marrëveshje konkrete mes dy partive.
Vëmendja e opinionit publik tashmë është përqendruar te rezultati i këtij takimi, i cili mund të ndikojë në zhvillimet e ardhshme politike dhe në formimin e qeverisë së re.

Be First to Comment