Skip to content

Kapet një nga personat më të kërkuar nga Policia e Kosovës

Kapet në kufi 34-vjeçari i kërkuar nga drejtësia, ndaj tij ishin aktive dy urdhër-arreste

Është konfirmuar raportimi ekskluziv i Gazetës Sinjali lidhur me arrestimin e një personi të kërkuar nga organet e drejtësisë, i cili u ndalua nga Policia Kufitare gjatë kontrolleve rutinë në pikën kufitare Muqivercë.

Sipas burimeve të Sinjalit, i ndaluari është Egzon B. Reshani, rreth 34 vjeç, nga Prizreni.

Ai është ndaluar gjatë verifikimit të dokumentacionit, kur zyrtarët policorë kanë konstatuar se ndaj tij ishin aktive dy urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prizren.

Pas konfirmimit të urdhër-arresteve në sistemin policor, Policia Kufitare ka njoftuar menjëherë Stacionin Policor në Prizren, i cili ka marrë në dorëzim 34-vjeçarin për procedurat e mëtejshme ligjore.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Reshani kërkohej për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, ndërsa njëri prej rasteve lidhet edhe me dyshimet për kanosje ndaj Kryeprokurorit të Prizrenit.

Pas arrestimit, ai është dërguar në procedurat përkatëse, ku pritet të veprohet në përputhje me urdhër-arrestet dhe vendimet gjyqësore në fuqi.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me kohën kur janë lëshuar urdhër-arrestet apo me ecurinë e procedurave që do të ndiqen ndaj të ndaluarit.

Rasti tashmë është në kompetencë të organeve të drejtësisë, të cilat do të vazhdojnë me zbatimin e procedurave ligjore sipas vendimeve të Gjykatës Themelore në Prizren.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale, pasi ai tentoi t’u ikte zyrtarëve policorë pranë vijës kufitare me Serbinë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, operacioni është zhvilluar mbrëmjen e 3 gushtit, pak pas orës 22:00, nga zyrtarët e Policisë Kufitare në Stacionin Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit Muqivërcë.

Gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, policia ka identifikuar një automjet të dyshuar që po lëvizte nga drejtimi i Breznicës në Serbi drejt territorit të Republikës së Kosovës.

Pas vlerësimit të situatës, zyrtarët policorë kanë ndërhyrë menjëherë dhe e kanë ndaluar automjetin në fshatin Novosellë.

Gjatë kontrollit, pasagjeri i automjetit, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar të largohej me vrap drejt vijës kufitare, me qëllim që të arratisej në drejtim të fshatit Breznicë në Serbi.

Megjithatë, reagimi i shpejtë i zyrtarëve policorë bëri të mundur ndalimin dhe arrestimin e tij vetëm pak metra larg kufirit, duke penguar largimin nga territori i Republikës së Kosovës.

Sipas Policisë, ndaj Reshanit ishte aktiv një urdhërarrest, ndërsa ai kërkohej nga organet e drejtësisë për disa vepra të rënda penale, përfshirë:

Vrasje në tentativë;
Fajde;
Privim i kundërligjshëm i lirisë;
Detyrim.

Gjatë kontrollit personal, policia i ka gjetur dhe sekuestruar edhe një thikë, për çka është kontaktuar Prokurori kompetent. Me udhëzim të tij është iniciuar edhe një rast i ri për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

Pas përfundimit të procedurave nga Policia Kufitare, i arrestuari u është dorëzuar njësive kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, të cilat do të vazhdojnë procedurat ligjore në bazë të urdhërarrestit dhe rasteve për të cilat ai kërkohej.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e kufirit shtetëror, parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare dhe lokalizimin e arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *