Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshuar për plagosjen me armë zjarri që ndodhi në Skenderaj në mbrëmjen e 31 korrikut, duke përmbyllur kërkimet që kishin nisur menjëherë pas incidentit.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se në pranga ka përfunduar Arbnor Kuliqi, rreth 21 vjeç, i cili dyshohet se plagosi L.Z. në rrugën “Fatmir Dibra” në Skenderaj.
Sipas informacioneve të siguruara gjatë hetimeve, viktima ishte qëlluar me armë zjarri në shputën e këmbës së majtë. Pas plagosjes, ai fillimisht mori ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, ndërsa më pas u transferua në Spitalin Rajonal të Mitrovicës për trajtim të mëtejshëm. Pas trajtimit mjekësor, ai është liruar nga spitali.
Menjëherë pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga vendi i incidentit, duke bërë që Policia të nisë kërkime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Në kuadër të hetimeve, më 1 gusht, njësitë policore realizuan bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Abri e Poshtme. Megjithatë, gjatë kontrollit Arbnor Kuliqi nuk u gjet në banesë.
Gjatë bastisjes, policia gjeti një armë zjarri në posedim të vëllait të tij të mitur. Sipas dyshimeve fillestare, arma mund të ketë lidhje me rastin e plagosjes, ndaj është sekuestruar si provë materiale për ekzaminime të mëtejshme.
I mituri është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, ndërsa pas procedurave është liruar në procedurë të rregullt.
Pas vazhdimit të veprimeve operative dhe grumbullimit të informacioneve në terren, Policia arriti ta lokalizojë dhe arrestojë Arbnor Kuliqin mbrëmjen e 1 gushtit, rreth orës 21:35.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Ndalimit në Mitrovicë, nën dyshimin për veprën penale “Tentim vrasjeje”.
Hetuesit janë duke vazhduar punën për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të incidentit, ndërsa arma e sekuestruar do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të përcaktuar nëse është përdorur në plagosjen e 31 korrikut.
Policia nuk ka bërë të ditur ende motivin e konfliktit që çoi deri te përdorimi i armës së zjarrit, ndërsa pritet që hetimet dhe provat e mbledhura të ndihmojnë në sqarimin e plotë të rastit.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij eventuale të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Be First to Comment