Një konflikt brenda një familjeje në Suharekë ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit, ku një 77-vjeçar dyshohet se ka plagosur djalin e tij pas një mosmarrëveshjeje. Rasti ka mobilizuar njësitë policore dhe hetuesit rajonalë, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Demir Krasniqi, ndërsa viktimë është djali i tij, V.K., rreth 40 vjeç.
Sipas informacioneve të siguruara, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 1 gushtit, rreth orës 19:00, në fshatin Savrovë të Suharekës. Pas raportimit për plagosje me armë zjarri, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë patrulluese dhe hetuesit e Stacionit Policor në Suharekë.
Një dëshmitar u ka deklaruar zyrtarëve policorë se i dyshuari kishte shtënë me armë ndaj djalit të tij dhe më pas ishte mbyllur në një nga dhomat e shtëpisë.
Pas negociatave të zhvilluara me policinë, 77-vjeçari është dorëzuar pa rezistencë. Gjatë intervistimit fillestar ai ka mohuar se posedonte armë zjarri.
Megjithatë, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe kontrollit të perimetrit të jashtëm të shtëpisë, policia ka gjetur të fshehur një pistoletë të tipit **Zoraki 917-T**, kalibër 9 mm, së bashku me një karikator dhe pesë fishekë. Sipas dyshimeve fillestare, kjo armë është përdorur gjatë incidentit.
Arma dhe municioni janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dhe pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike për të konfirmuar përdorimin e tyre në këtë rast.
Viktima fillimisht ka marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Suharekë, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit për trajtim të mëtejshëm. Deri më tani nuk janë bërë publike detaje zyrtare mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Demir Krasniqit është iniciuar procedurë penale për veprat “Lëndim i lehtë trupor”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”. Më pas, ai është ndaluar për 48 orë.
Hetimet po vazhdojnë nga njësitet rajonale të hetimeve, të cilat do të punojnë për të sqaruar motivin e konfliktit, rrethanat që çuan deri te përdorimi i armës së zjarrit dhe përgjegjësinë eventuale të personave të përfshirë.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij eventuale të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Be First to Comment