Skip to content

Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë, plagoset një personi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës në Gjakovë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Sipas informacioneve të para, rasti është regjistruar rreth orës 16:10 në rrugën “Dëshmorët e Hereqit”, ku Policia e Kosovës ka marrë njoftim për një plagosje me armë zjarri.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore.

Sipas saj, personi i plagosur ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe është dërguar për trajtim, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë e ditur deri më tani.

Në anën tjetër, i dyshuari për plagosjen është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës vetëm pak kohë pas incidentit.

Policia ka bërë të ditur se si i plagosuri ashtu edhe i dyshuari janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe të moshës madhore.

Në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet kriminalistike, ndërsa hetuesit kanë sekuestruar prova që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Për momentin nuk janë bërë të ditura motivet e incidentit dhe as raporti mes personit të plagosur dhe të dyshuarit.

Rasti është duke u trajtuar nga njësitet kompetente të Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar motivin dhe dinamikën e plotë të plagosjes.

Autoritetet kanë paralajmëruar se më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *