Skip to content

Vlora Çitaku: Kosova në situatë të paprecedentë

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se vendi ndodhet në një situatë të paprecedentë kushtetuese, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shkelje të përsëritura të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Çitaku tha se Kosova është futur në një situatë që, sipas saj, nuk është parë më herët në historinë institucionale të vendit.

“Po besoj që tashmë e keni pranuar komunikatën për shtyp nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Kosova është në një terren tërësisht të pashkelur më parë. Askush nuk do të kishte imagjinuar që në vitin 2026, me një lehtësi të padurueshme, njeriu që ka marrë një numër të jashtëzakonshëm të votave në Kosovë, e shkel Kushtetutën, e këtë jo një herë, por në mënyrë serike disa herë”, deklaroi Çitaku.

Ajo tha se PDK-ja e konsideron të papranueshme situatën e krijuar rreth moskonstituimit të Kuvendit dhe akuzoi pushtetin se po cenon rendin kushtetues për interesa politike.

Sipas saj, respektimi i Kushtetutës është detyrim për çdo institucion dhe zyrtar publik, pavarësisht mandatit apo mbështetjes që ka marrë nga qytetarët.

Çitaku bëri të ditur se Partia Demokratike e Kosovës do ta intensifikojë angazhimin e saj politik në ditët në vijim, duke paralajmëruar përdorimin e të gjitha mjeteve demokratike për të mbrojtur rendin kushtetues.

“Ne do t’i intensifikojmë aktivitetet tona. Do të përdorim çdo mjet demokratik, qytetar, politik e publik për ta kthyer Kosovën në binarë të drejtë”, u shpreh ajo.

Sekretarja e PDK-së theksoi se Kushtetuta e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e qytetarëve dhe se, sipas saj, nuk duhet të lejohet cenimi i saj.

“Ky vend, kjo Republikë, kjo Kushtetutë është miratuar me shumë mund, me shumë gjak e me shumë sakrificë dhe ne nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet”, deklaroi Çitaku.

Deklaratat e saj vijnë në kohën kur kriza politike për konstituimin e Kuvendit vazhdon të thellohet. PDK-ja dhe partitë e tjera opozitare kanë akuzuar vazhdimisht Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa Vetëvendosje insiston se zgjidhja duhet të vijë përmes një marrëveshjeje politike mes subjekteve parlamentare.

Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës rreth interpretimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe procedurave për konstituimin e Kuvendit vazhdojnë të dominojnë zhvillimet politike në vend.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *