Skip to content

LAJMI I FUNDIT – Armend Muja pranon se ka “gënjyer” publikisht

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka pranuar se analizat laboratorike nuk kanë gjetur vaj palme në qumështin “Vita”, duke sqaruar se produkti nuk rezulton problematik sipas mostrës së testuar.

Në një konferencë për media, Muja prezantoi disa produkte të tjera të kompanisë “Abrazen”, për të cilat tha se analizat kanë konstatuar praninë e vajit të palmës.

Megjithatë, në mesin e produkteve të prezantuara nuk ishin qumështi dhe jogurti “Vita”, të cilat janë marka të veçanta të kompanisë.

I pyetur drejtpërdrejt nga gazetarët nëse në qumështin “Vita” ishte gjetur ndonjë parregullsi, Muja e konfirmoi se një nga mostrat nuk kishte rezultuar problematike.

“Po, është gjetur që një mostër nuk ka problem, por jo për qumështin pluhur”, deklaroi ai.

Ministri shtroi edhe pyetjen se si është e mundur që brenda të njëjtit subjekt disa produkte të rezultojnë me parregullsi, ndërsa të tjera jo.

“Nëse më thua që paradite prodhohet qumësht me vaj palme, ndërsa pasdite del një mostër pa problem, unë jam i interesuar ta kuptoj se si ndodh kjo”, tha Muja.

Duke iu përgjigjur kritikave pse ministria nuk kishte sqaruar që në fillim se cilat produkte rezultonin të pastra, Muja tha se institucioni që ai drejton nuk merret me markat tregtare, por me subjektet prodhuese.

“Në lidhje me qumështin Vita, ministria nuk i trajton markat tregtare. Ne merremi me subjektin prodhues, me pajisjet dhe me respektimin e standardeve të prodhimit. Markat tregtare licencohen nga Ministria e Tregtisë”, u shpreh ai.

Muja bëri të ditur se, për shkak të gjetjeve të deritanishme, ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) shtimin e kontrolleve ndaj kompanisë.

Sipas tij, në rastet kur brenda të njëjtit subjekt konstatohen parregullsi në disa produkte, ligji parasheh mbikëqyrje më të rreptë edhe për produktet e tjera të atij prodhuesi.

“I kam kërkuar AUV-it që, sipas ligjit, nëse brenda të njëjtit subjekt produktet janë përzier ose janë konstatuar shkelje, të shtohet trajtimi dhe mbikëqyrja edhe për produktet që në një mostër nuk kanë rezultuar problematike”, deklaroi Muja.

Çështja e analizave të produkteve të qumështit ka ngjallur debat të madh publik ditët e fundit, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar vazhdimin e kontrolleve dhe publikimin e rezultateve të analizave për produktet e tjera që janë pjesë e hetimit.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *