Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke e akuzuar se po keqpërdor besimin e qytetarëve dhe po zvarrit me vetëdije procesin e konstituimit të institucioneve.
Duke komentuar situatën e krijuar pas dështimit të njëpasnjëshëm të seancave konstituive, Lushtaku tha se Kosova do të duhej të kishte tashmë institucione funksionale, por sipas tij, kalkulimet politike të partisë fituese po e mbajnë vendin në krizë.
Ai e nisi deklaratën e tij me një shprehje të njohur popullore, duke thënë se secili përballet me pasojat e veprimeve të veta.
“Njeriu çka mbjell edhe korr. Në gjendje normale ne sot do ish dashtë të kemi konstituimin e Kuvendit, të zgjidhej kryetari dhe nënkryetarët, të formoheshin komisionet dhe të pritej zgjedhja e presidentit, por nuk e kemi një gjendje normale sepse ata që e kanë marrë besimin e qytetarëve tallen me atë besim dhe për kalkulimet e tyre të pushtetit bëjnë manovrime me qëllimet e tyre të përfitimit”, deklaroi Lushtaku.
Sipas deputetit të PDK-së, zvarritja e konstituimit të Kuvendit po dëmton funksionimin normal të institucioneve dhe po e thellon krizën politike në vend.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pavarësisht skadimit të afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Situata ka nxitur akuza të ndërsjella mes pozitës dhe opozitës, ndërsa partitë politike vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta lidhur me mënyrën e zgjidhjes së ngërçit institucional.
Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka mbrojtur qëndrimin se nevojitet një marrëveshje më e gjerë politike për funksionalizimin e institucioneve, ndërsa partitë opozitare e akuzojnë për zvarritje të qëllimshme të procesit.

Be First to Comment