Sot mbyllet afati për aplikim, prindërit kanë edhe pak orë për të përfituar subvencionin për blerjen e librave shkollorë
Prindërit dhe kujdestarët ligjorë të nxënësve në Kosovë kanë edhe pak orë kohë për të aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për vitin shkollor 2026/2027, pasi afati përfundon sot, më 9 gusht.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se aplikimi realizohet përmes platformës shtetërore eKosova, ndërsa përfitues janë nxënësit e klasave 1 deri në 9. Procesi i aplikimit ishte hapur më 27 korrik dhe ka zgjatur dy javë.
Sipas njoftimit të ministrisë, mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogaritë bankare të prindërve ose kujdestarëve që aplikojnë, pasi aplikimet të verifikohen nga shkollat përkatëse.
Autoritetet u kanë bërë thirrje prindërve që ende nuk kanë aplikuar ta bëjnë këtë brenda afatit, duke u siguruar paraprakisht se xhirollogaria bankare është aktive dhe se të dhënat e tyre në platformën eKosova janë të përditësuara.
Subvencionimi synon të mbështesë familjet në përballimin e kostos së blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore para fillimit të vitit të ri shkollor.
Pas mbylljes së afatit gjatë ditës së sotme, nuk pritet të pranohen aplikime të reja, ndërsa Ministria do të vazhdojë me procesin e verifikimit dhe ekzekutimit të pagesave për përfituesit që kanë aplikuar brenda afatit të përcaktuar.

Be First to Comment