Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit në seancën e sotme konstituive, pasi, sipas tij, një veprim i tillë pa një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në konferencën për media të mbajtur pas ndërprerjes së seancës, e cila u shoqërua edhe me incidentin ku u hodhën vezë në drejtim të tij, Kurti tha se Vetëvendosje po synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të siguronte stabilitet institucional.
“Nuk propozuam emër, sepse çfarëdo emri pa marrëveshje për president, do të na shpinte te zgjedhjet e reja, të përsëritura, të parakohshme, të panevojshme dhe të dëmshme”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, zgjidhja e krizës aktuale nuk duhet të kufizohet vetëm te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, por duhet të përfshijë edhe një dakordim politik për krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Kurti tha se vetëm një marrëveshje mes liderëve të partive politike mund t’i japë fund bllokadës institucionale.
“Vetëm nga lartësia e një marrëveshjeje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshjeje mes meje me liderët e partive të tjera, ta konstituojmë Kuvendin, ta formojmë qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin apo presidenten e re. S’ka kuptim të mos bëjmë marrëveshje. S’ka kuptim të mos bashkëbisedojmë”, u shpreh ai.
Ai bëri të ditur se edhe në orët e fundit ka zhvilluar përpjekje për të arritur një dakordim politik, duke zhvilluar takime, shkëmbyer letra dhe dërguar mesazhe për liderët e partive parlamentare.
“Në këto orët e fundit, unë kam pasur takim, kam shkruar letra që ftojnë për takim e që japin përgjigje, kam shkruar mesazhe telefonike për t’u takuar me liderë të partive politike dhe s’duhet t’i shpallim përpjekjet e dështuara apo të përfunduara. Duhet të vazhdojmë të përpiqemi”, shtoi Kurti.
Deklaratat e tij vijnë pasi seanca konstituive u ndërpre sërish pa u propozuar kandidati për kryetar të Kuvendit, ndërsa opozita vazhdon ta akuzojë Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të procesit dhe mosrespektim të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Ndërkohë, Vetëvendosje këmbëngul se një marrëveshje politike që përfshin jo vetëm konstituimin e Kuvendit, por edhe zgjedhjen e presidentit në të ardhmen, është mënyra e vetme për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për t’i dhënë vendit institucione stabile.

Be First to Comment