Kurti: Nuk propozuam kandidat për kryetar të Kuvendit, sepse i kemi votat
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila u shoqërua me tensione dhe incidente në sallën plenare.
Në një deklaratë për media, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi emër për kryetar të Kuvendit, duke arsyetuar se partia e tij tashmë i ka votat e nevojshme për ta zgjedhur kandidatin.
“Në vazhdimin e seancës konstituive nuk propozuam një emër për kryetar Kuvendi, meqenëse i kemi votat”, deklaroi Kurti.
Ai nuk dha më shumë detaje se kur do të propozohet kandidati për kryeparlamentar, por ritheksoi se zgjidhja e situatës aktuale kërkon dialog dhe bashkëpunim ndërmjet partive politike.
Sipas Kurtit, pavarësisht dallimeve politike, duhet të ketë komunikim për të arritur marrëveshje që do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve të reja.
“Nuk ka kuptim që të mos bëjmë marrëveshje, nuk ka kuptim të mos bashkëbisedojmë”, u shpreh ai.
Deklaratat e Kurtit vijnë pas një tjetër dështimi për konstituimin e Kuvendit. Edhe në seancën e sotme, Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqiti kandidat për kryetar të Kuvendit, ndërsa kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.
Pas ndërprerjes së seancës u regjistruan edhe tensione në sallën plenare, ku deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit, ndërsa ndërhynë deputetët dhe sigurimi i Kuvendit.
Ndërkohë, partitë opozitare vazhdojnë ta akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të procesit dhe për mosrespektim të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Vetëvendosje insiston se një marrëveshje më e gjerë politike mbetet rruga më e mirë për funksionalizimin e institucioneve.

Be First to Comment